Por lokalet e Bllokut, janë pothuajse të boshatisura, një panoramë e panjohur për një nga zonat ndër më të frekuentuarat në Tiranë. Kjo pamje është bërë tashmë e përditshme.

Kamerieri i “Vila 31” e pohon që frekuentimi ka rënë, jo vetëm aty, por në të gjitha lokalet aty pranë. Të njëjtën gjë thonë edhe tek bar “Sofia”, por të gjithë ngrenë supet kur i pyesim për arsyet dhe i vetmi argument që japin është rënia e konsumit.

Sipas revistës Monitor, kriza duket se nuk ka kapur vetëm baret, por edhe restorantet e njohura në Tiranë. Sotiraq Spirollari, administrator dhe bashkëpronar, i Vilës “Alehandro”, një prej lokaleve më të njohura në kryeqytet, konfirmon se frekuentimi ka rënë me rreth 30% dy muajt e fundit. Edhe në zonën përreth, të mbushur me restorante, ka një rënie të dukshme të lëvizjeve.

Ai jep një këndvështrim interesant se pse po ndodh kjo dukuri.

Së pari, kjo lidhet me atmosferën e rënduar politike në vend, e cila duket se ka dhënë dhe ndikimin e vet në psikologjinë e konsumatorëve. “Atmosfera destruktive politike, është arsyeja kryesore, e cila si gjithmonë, por edhe tani së fundmi, po ndikon tepër negativisht në biznes”.

Njerëzit janë mbërthyer përpara televizorit duke ndjekur çdo mbrëmje debatet politike. Kjo situatë ka dhënë një ndikim negativ në pritshmëritë e njerëzve për të ardhmen. “Dëgjoj përditë të rinjtë që duan të ikin sepse nuk kanë perspektivë, ndërsa prindërit duan të ikin për t’i siguruar një të ardhme më të mirë fëmijëve”, pohon ai.

Spirollari tërheq vëmendjen se edhe fryma që po përhapet nga mediat, që transmetojnë gjithë ditën politikë, nuk është shumë pozitive dhe po jep efektin e vet.

Një tjetër argument lidhet me urdhrin për bllokimin e makinave të luksit dhe verifikimin e pasurive. Që prej dy muajsh, kur doli ky urdhër frekuentimi, nga personat që lëviznin me “Ferrari” apo “Lamborghini” u pre si me thikë. Faktikisht këta janë personat që kanë para, dhe që shpenzonin shuma të mëdha nëpër lokale.

Si një ekonomi e orientuar nga konsumi dhe në mungesë të alternativave të punës, hapja e bareve dhe restoranteve ka qenë një zgjidhje e shumë njerëzve për të bërë biznes dhe për t’u punësuar.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë, duke e renditur atë ndër të parat në botë për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë.

Spirollari paralajmëron se nëse atmosfera konfliktuale politike vijon kështu, ndikimi do të jetë direkt në rënien e konsumit, i cili do të jetë i ndjeshëm, kjo do të pasojë falimentimet e bareve e restoranteve sidomos atyre që janë me qira./Artikulli i plotë marrë nga revista Monitor.

Facebook Comments
loading...
%d bloggers like this: