Shija është baza e jetës dhe kultivimi i saj fillon që me lindjen dhe me mënyrën e të ushqyerit. Shpesh dëgjojmë prindër, të cilët ankohen, se fëmijët e tyre nuk kanë oreks, që nuk pëlqejnë ushqime të caktuara e kështu me rradhë. Gjëra të tilla mund t’i vendosin prindërit para dilemave të mëdha, për atë se si ata duhet të sillen me fëmijët. Nëse, duhet të jenë të ashpër e të vendosin rregulla strikte, apo t’i japin atij të hajë gjërat që ai dëshiron, pavarësisht vlerave të tyre ushqyese? Mjekia pediatre Lira Gjika jep këshillat e saj për revistën “Shije”, ndërsa shpjegon se pse është kaq i rëndësishëm kultivimi i shijes së të ushqyerit në fëmijëri dhe si mund ta bëjmë fëmijën të dojë ushqimin dhe jetën.

Sa i rëndësishëm është kultivimi i shijes te fëmijët?

Është jetike, sepse njeriu aty ndahet dhe aty bashkohet me natyroren, por me kushtin që të jetë brenda etikës dhe etika ndihmon në kultivimin e shijes, në ruajtjen e mirë të shijes, spese përdor mjetet. Njeriu nuk ha përdhe, edhe kur ha përdhe, vendos diçka. Edhe vendet që hanë përdhe, kanë një lloj etike. Është shumë bukur të shkosh në këto vende, si ishujt Bali, që hanë përdhe, por kanë elegancë të paparë në veprimet e tyre. Nuk e vrasin ushqimin, e vlerësojnë. Është shumë e bukur filozofia e kinezëve kur e ndajnë ushqimin. Ata nuk e shpojnë ushqimin. Është një filozofi e tërë, se pse përdorin dy shkopa, se është një lloj mirënjohjeje. Shpimi është si vrasje, ndërsa kapja është më e butë. Pra, të gjithë popujt kanë krijuar një filozofi. Ushqimi dhe shija i janë bashkangjitur gjithë filozofisë së nivelit, të hierarkisë së shoqërisë njerëzore. Prandaj nuk është kaq e thjeshtë. Ndërkohë, ne kemi një të keqe të madhe. Ne kalamajtë i mbushim si shishe. Një nga projektet që kam nisur unë dikur ka qenë etika e të ngrënit te fëmijët e ne duhet ta rivemë këtë etikë.

Në ç’fazë të jetës së fëmijës fillon kjo etikë?

Kjo fillon që kur fëmijët janë nëntë muajsh. Nëse ne ia mësojmë fëmijës thikën, sepse duhet t’ia japësh vlerën atij sendi që përdor dhe ai e merr që në këtë kohë. Në moshën nëntë muaj njeriu fillon të mësojë që mami ikën, por kthehet. Këto mekanizma duken të thjeshtë, por kjo përshin gjithë psikën e fëmijës, sepse nëna është simboli i jetës. Fëmija çdo gjë e lidh me nënën, duke filluar nga ushqimi, nga fytyra, nga mimika. Nëse një nënë e ushqen fëmijën: hajd ta ushqejmë, se kam punë të tjera, ajo nuk e ushqen siç duhet, nuk i jep shije, por i jep një bezdi fëmijës.

Është kjo një arsye se pse fëmijët kanë probleme me të ngrënin? Çfarë duhet të bëjë një nënë, fëmija e së cilës refuzon ushqimin?

Shpesh nënat thonë: s’më ha fëmija! Po ç’të hajë! Ti ia ke mësuar ushqimin si bezdi, si të keqe. Ia fillojnë me idenë: më dhemb gjiri, kur janë në fazën që i japin për të pirë. Nuk janë gjëra të lehta, por nëse nëna e ka bezdi gjirin, më mirë mos ta ushqejë me gji, por me shishe. Se nëna padashur i transmeton bezdi për ushqimin. Kjo është shumë e rëndësishme: që çdo grua, qoftë shkencëtarja më e madhe, apo gruaja në fshatin më të humbur duhet ta dijë. Sepse luan me një gjë të madhe, luan me të ardhmen e këtij fëmije. Luan deri me gjëra si droga, nëse ky fëmijë në të ardhmen do të bëhet i varur nga droga apo jo. Pse po shtohen rastet me anoreksi apo bulimi? Sepse ushqimi perceptohet si gjë e keqe.

Mendoni se në përgjithësi në shoqërinë shqiptare ushqimit nuk i njihet shija?

Komunitetet e varfra te ne janë shumë të mëdha. Në komunitetet e varfra, ushqimi ka qenë gjithnjë i varfër. Duke qenë ushqimi i paktë, edhe gjërat e tjera dalin në plan të dytë dhe ushqimi ngelet gjithnjë në plan të dytë. Këta njerëz luftojnë për ushqim, ashtu si çdo gjallesë në natyrë. Dhe kjo është e frikshme. Njeriu prandaj e ka mendjen, prandaj e shpiku shkencën, që ta përdorë dhe të shpëtojë nga mbijetesa apo nga fiksimi për ushqimin. Ushqimi ndau njeriun nga bota natyrore, sepse njeriu duke u shkëputur, duke ndërtuar veglat, pirunin, lugën etj, i bëri një revolucion shumë të madh vetes. Revolucioni i parë, pra u bë nëpërmjet shijes. Ai nuk deshi të hajë më ashtu, shëmtuar, vuri etikën. Pikërisht për të ruajtur dhe për të shumuar vlerat, për t’i dhënë mundësi trurit, për t’i dhënë mundësi vetes, që të mos ngelet peng i natyrës. Ja që e kishte këtë dhunti. Vetëm njeriu e ka aftësinë të jetë kreativ. Dhe kjo e bëri pastaj shkencëtar, artist. Ndaj është e frikshme që në vende të varfëra, problematike, ka masë të madhe njerëzish, që vegjetojnë në jetën e tyre dhe janë ende në kërkim vetëm të ushqimit, edhe pse kanë potencial të shijojnë jetën dhe të rrisin cilësinë e ushqimit, mos ta kërkojnë gjithë ditën. Sot, megjithatë, edhe në Shqipëri, nuk jemi në kohërat, që ushqimi është pak. Ne po mbytemi nga ushqimi. Edhe Shqipëria po mbytet nga ushqimi. Po të shohësh, tregu është gjithandej plot. Ne nuk jemi më të varfër siç ishim. Sot hidhet ushqim dhe është normale, që kur nuk ke ushqim je i thatë, kur ke do të bëhesh 100 kg, sepse nuk ke rregulluar në psikën tënde mekanizmin e shijes. Ti je akoma i uritur dhe çdo veprim tek ne është prej urie. Edhe në politikë jemi të uritur, edhe në art. Dhe i urituri nuk mund të bëjë gjëra të mira, se nuk ka shije.

Për të folur më tepër për fëmijët. Çfarë këshillash praktike do t’iu jepnit prindërve dhe në veçanti nënave, për mënyrën se si mund të ushqejnë fëmijët në faza të ndryshme të jetës?

Nëse nëna është një person që nuk e shijon ushqimin duhet t’ia thotë këtë fëmijës së vet. Fëmija po e dëgjoi njëherë, e ka mësuar çfarë i thotë nëna. Sidomos në moshën 6 muajsh, fëmija di dhe kupton çdo fjalë që i thua. Psiqikisht ai është gati të flasë. Kurse aparati fizik, jo. Këtë e kam nga përvoja me një nënë, e cila ishte problematike se nuk hante shumë gjëra dhe kishte frikën, se dhe fëmija nuk do të hante si ajo. Në këtë rast fëmijës duhet t’i thuash: ku më ke gjetur mua për mama, se unë nuk i njoh shijet e ushqimeve dhe nuk do të të njoh me to. Dhe kjo nënë, ia bëri këngë këtë gjë fëmijës së vet. Sot, vajza e vet është 16 vjeçe dhe eksperimeton, jo vetëm me ushqimin, por me jetën. Nëse ne do t’i mësojmë fëmijës të provojë sa më shumë ushqime, aq më shumë mundësi i jep psikës, për të provuar të tjerët, të ndryshmen. Njerëzit që hanë pak gjëra, nuk kanë kuriozitetin, por e paragjykojnë ushqimin. Janë njerëz mendjembyllur. Sa më i thjeshtë, sa më kurioz të jesh në ushqim, aq më kurioz do të jesh në fjalë, do të shijosh. Sa më shumë kërkon të shijoish ushqime të reja, aq më kurioz do të jesh të shijosh fjalën dhe jetën, sepse duket sikur fjalën duhet ta dish, por duhet dhe ta shijosh. Dhe kështu, nuk do të të shijojë banaliteti. Kur jemi të nervozuar përshembull, banaliteti është e vetmja gjë, që na qetëson. Ndërsa nëse do të jesh rritur me këto lloj shijeje drejt kuriozitetit, për një gjë të re, për një gjë të rafinuar, të mirë, të bukur, ashtu do të jesh. Nuk do të shkarkosh më negativitet, banalitet, por do të shkarkosh në mënyrë shumë më fine, më qytetare dhe do ta lash dhe fjalën e pistë dhe banale, e do t’i japësh një farë vlere. Ne, duke qenë konfuzë, duke qenë të rritur me shije banale, që nga ushqimi, që nga sjellja, që fëmijë etiketojmë vetëm të keqen. Kjo ka të bëjë me shijen e keqe. Prandaj jemni paragjykues dhe kjo ka të bëjë me shijen, me neglizhimin. Nuk i shpëtojmë neglizhimit. Një autore angleze ka thënë: këndojini fëmijës suaj gjatë kohës që po e përgatisni t’ia hiqni gjirin. Ndërsa ne e presim me thikë. Duam që fëmija të lerë gjirin dhe e duam tani. Nuk ka tani. Kur fillon të ndiesh dëshirë apo të kesh lodhje, duhet të të punojë truri të gjesh zgjidhje. Ne hyjmë ende te vendet, që nuk kemi rezonancë emocionale. Është pikërisht rezonanca emocionale që bën lidhjen emocion, fjalë. Duke mos pasur rezonancë emocionale, kalojmë direkt në veprim. Njeriu duhet të mbrojë jetën. Dhe kjo fillon me shijen. Shija nuk është shaka.

Atëherë çfarë është shija? Si lidhet shija me fëmijërinë?

Ajo fillon që me ngjizjen e njeriut. Po të mos ishte e rëndësishme shija, nuk do të ishte bërë orgazma, kushti kryesor për të mbajtur lidhur një çift, për të ndërtuar jetën. Sa gra e burra ankohen, që nuk ndiejnë gjë? Sot është problem dite dhe kjo ka të bëjë me fëmijërinë. Duhet të dimë një gjë: Nëse njeriu nuk shijon ushqimin, kur të rritet nuk do ta ketë të lehtë të shijojë marrëdhënien ku ngjizet jeta, seksin. Ndaj është shumë e rëndësishme shija, është një proces i tërë psikik, që lidhet me njeriun dhe që shmang ngopjen, urinë. Njerëzit që shijojnë, e kanë lënë urinë. Jo se nuk ndiejnë uri, por nuk veprojnë me oirganizmat e urisë dhe duke shmangur urinë, ti në çdo fushë do të kërkosh më të mirën. Nuk do të kërkosh të zgjidhësh problemin me mllefe. Nga shija, do të dalim te fuqia e fjalës, që ne si komb na mungon. Ne kemi një krizë, që ka hyrë banalitet i thellë në tërë qelizat e jetës: në familje, në çift, te nënat, te ushqimi, te shkolla, që riprodhon ca gjëra që nuk i vlejnë kurrkujt, e deri te qeveria.

Sa e rëndësishme është vendosja e orareve të rregullt për vaktet e fëmijës dhe një përcaktim në masën e ushqimit që ai konsumon? Duhet të vendoset një regjim strikt në këtë drejtim?

E rëndësishme është etika dhe etika është një grup rregullash, pikërisht për të zhvilluar shijen e mirë, pa u imponuar, por përmes kurioziteti dhe fantazisë. Siç ia largojmë gjirin me të kënduar fëmijës, edhe nëna vetë duhet të hajë me fëmijën e të thotë: ua çfarë shijeje! Duhet të luhet me kuriozitetin, të futet loja edhe në të ushqyer. Jo loja duke i rënë tenxheres, por në mënyrën më të thjeshtë, duke ngjallur kuriozitet, duke ngrënë të dy bashkë. Nëna është mirë të konsumojë vakte më fëmijën dhe t’i thotë çfarë i ka hedhur brenda dhe të kërkojë të dijë si e shijon fëmija. Kur ai i thotë se nuk i pëlqen, ajo t’i thotë: unë nuk e di, por qenka një shije e re. Mos ta lerë me një fjalë: më pëlqen, s’më pëlqen. Etika ka pikërisht ca ligje, që ndihmon të hapen gjërat. Prindërit duhet të punojnë me memorjen. Sepse memorja fillon pikërisht me nuhatjen dhe me prekjen. Nuhatja ëhtë pikërisht ajo. Fëmijët punojnë me nuhatjen. Ai e njeh nënën me aromë. Edhe kjo ka të bëjë me shijen. Nuhatja ëhtë e lidhur direkt me me njohjen e nënës, me njohjen e ushqimit dhe të armikut. Nuhatja dhe prekja janë dy shqisat më të vjetra. Nuhatja është shumë e rëndësishme dhe nëna duhet të punojë mirë me aromat. Është mirë që ajo t’i tregojë fëmijës nga vijnë aromat, përshmebull: -vjen nga kanella që mamit i pëlqen. Ose:- Kjo nuk më pëlqen, por hajde ta provojmë të dy e të tjera. Të bëjë këtë dialog, që shpesh është dhe monolog, por prej të cilit fëmija merr shumë informacion dhe ngacmohet. Nëna mund t’i përshkruajë ato që ndien vetë. Nëna e ka për detyrë të ndihmojë fëmijën e vet, të bëhet nmë i mirë se ajo, që të superojë problemet e saj dhe t’i japë të ditur që fëmija është qenie më vete. Këtë le ta fillojë me kuriozitetin e gjësë së re dhe duke përgatitur jo të njëjtën gjë si ushqim. Të provosh është kurajo dhe është e domosdoshme, që nëna ta nxitë ta provojë këtë ushqim të ri. Kërkon shumë fantazi dhe dialog nga ana e nënës dhe të mos presë rezultate që ditën e parë, se gjërat ndërtohen në kohë.

Sa të duruar mendoni se janë prindërit në Shqipëri në këtë drejtim, duke qenë se keni shumë vite përvojë në njohjen me fëmijët?

Për fat të keq, ne jemi defiçitarë. Duam që fëmijët t’i heqim qafe dhe i mbushim si shishe. Edhe ushqimet që u japim janë pak të varfra, të gatuara si për ne. Ne duhet të gatuajmë si për fëmijën. Ato mund të jenë shpesh herë të përpunuara, siç i do fëmija, por dhe të forta. Fëmijët duhet të hanë shumë ushqime të gjalla, por pa i detyruar ne me zor. Se shija e ushqimit është ajo e jetës. Shpesh te ne ushtrohet dhunë dhe ky detyrim për të ngrënë është përdhunim. Prandaj ne e durojmë dhunën, se nuk na bën përshtypje, se jemi mësuar që të vegjël. Ky është përdhunim, sepse fëmija deri në dy vjeç, zonën e tij të vetme erogjene ka gojën. Prandaj duhet patur shumë kujdes. Jo rastësisht, në natyrë është vënë bashkë në gojë: zona erogjene, e ushqimit dhe e ekzistencës. Sepse kështu është jeta. Dhe ushqimi tregon se, që të arrish të pëlqesh një gjë, ta duash, duhet ta erotizosh dhe ne nuk e njohim erosin. Erotika nuk është kaq e thjeshtë. Sipas Platonit, nuk hapet mendja po nuk u erotizua.

Facebook Comments
loading...
%d bloggers like this: